Drejtuesit e fabrikës së qumështit “Vita” kanë mbajtur sot një konferencë për media pas inspektimeve të zhvilluara një ditë më parë. Gjatë këtij eventi, ata njoftuan se kompania është në pritje të rezultateve laboratorike të mostrave të marra nga produkti “Vita 3.2”.
Drejtori i kompanisë, Artan Spahija, sqaroi se vendimi për pezullimin e përkohshëm të grumbullimit të qumështit ishte marrë nga vije nga bordi i kompanisë dhe jo nga autoritetet. Ai theksoi se analiza e mostrave duhet të publikohet sa më shpejt. Spahija e siguroi publikun se “Vita” është e gatshme të rifillojë grumbullimin menjëherë pas përfundimit të analizave.
“Vizita e një grupi prej 15 deri në 20 personave fillimisht ishte në cilësinë e inspektorëve, për të dalë më pas se ishin të ministërisë. Na është dërguar vetëm një dokument nga këshilltarja e ministrit dhe asgjë tjetër. Sidoqoftë, vendimi për pezullim është marrë nga ne si bord. Mostrat e qumështit janë marr me pretendimin për analizën,” tha ai.
Ai gjithashtu garantoi se produktet e kompanisë përmbajnë 100 për qind qumësht të Kosovës dhe nuk kanë përbërës të tjerë. Spahija theksoi se ekzistojnë analiza të mëparshme që vërtetojnë cilësinë e produkteve, por ato ende nuk janë publikuar. Ai iu bëri thirrje AVUK-ut që të publikojë rezultatet dhe vendimin zyrtar.
Drejtori i “Vita” u apeloi fermerëve të mos organizojnë protesta, duke nënvizuar se kompania është e gatshme të rifillojë grumbullimin e qumështit sapo të konfirmohet se produktet janë të sigurta.
“Kam thënë që si kompani veprojmë sipas ligjit. U bëj thirrje fermerëve që të mos protestojnë. Nëse ata publikojnë një vendim të qartë, që qumështi nga fermat tona është i mirë, ne mund të fillojmë grumbullimin që nga ky moment,” theksoi Spahija.
Nga ana tjetër, juristi i kompanisë, Lekë Sahatçiu, e siguroi publikun se çdo produkt i “Vita” është i sigurt për konsum, duke u mbështetur në procesverbalin e inspektimit të djeshëm. Ai theksoi se rreth 50 për qind e fermerëve të Kosovës bashkëpunojnë me këtë fabrikë, dhe se ulja e përkohshme e kapaciteteve të grumbullimit ishte raportuar në AVUK për shkak të sasive të mëdha të qumështit të grumbulluar.
“Vizita e djeshme konfirmoi se ne ju kemi dërguar pikave tona grumbulluese që për shkak të gjendjes së stokut, nuk mund të furnizohemi me sasinë normale, duke qenë se janë mbi dy milionë litra qumësht që ndodhen në stok,” përfundoi Sahatçiu.
Be the first to comment