Ka ndërruar jetë Hajrije Behrami-Xhema nga fshati Kozhicë i Skenderajt. Ajo ishte motra e Smajl Behramit, një dëshmor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ra heroikisht në betejat e Likoshanit dhe Qirezit.
Lajmi mbi humbjen e Hajrijes është bërë i njohur përmes një postimi nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu. Ajo shprehu ngushëllime për familjen Behrami dhe Xhema, duke theksuar se Hajrija kishte përjetuar dhimbje të thella, si gjatë ashtu edhe pas luftës.
Musliu përmendi se lufta i kishte marrë Hajrijes njerëzit më të dashur – vëllain e saj të vetëm, Smajlin, si dhe vajzën e saj, Zahiden, e cila humbi jetën në mënyrë brutale.
“Dhimbja e saj për këto humbje mbeti një plagë e hapur, që Hajrija e mbajti në heshtje, por me dinjitet e forcë, deri në ditët e fundit të jetës. Ajo ishte një nëne që historia nuk duhet ta harrojë. Një grua që përjetoi shumë, por jetoi me kujtimin e të dashurve të saj dhe me dhimbjen e një nëne që nuk mund ta harrojë kurrë fëmijën e vet,” shkruante Musliu.
Hajrija përshkruhet si një grua që e përballoi dhimbjen e humbjeve me forcë.
“Edhe pse disa njerëz largohet nga ky botë, vuajtja, sakrifica dhe kujtimi i tyre mbeten pjesë e historisë sonë. Hajrije, pusho në paqe. Tashmë je pranë atyre që i doje dhe të cilët lufta i mori padrejtësisht. U prehtë shpirti yt,” përfundoi Musliu, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjet Behrami dhe Xhema, si dhe të gjithë ata që e njihnin Hajrijen.



















You must be logged in to post a comment Login