Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka shprehur përgëzimet e tij për institucionet ligjzbatuese të Kosovës për përkushtimin e treguar në zbulimin e një varreze masive në Zubin Potok. Në këtë varrezë janë gjetur mbetje mortore dhe dyshohet se aty mund të ndodhen edhe trupa të tjerë të viktimave të luftës së fundit në Kosovë.
Në një deklaratë publike, Gashi e vlerësoi këtë ngjarje si një pjesë të angazhimit të vazhdueshëm të institucioneve për të zbardhur fatin e personave të zhdukur dhe për të vendosur drejtësinë.
“Zbulimi i kësaj varreze masive përbën një hap të rëndësishëm në angazhimin shtetëror për të nxjerrë në dritë të vërtetën dhe për të mundësuar vendosjen e drejtësisë,” tha ai.
Më tej, Kryeprokurori theksoi se zbardhja e rastëve të tilla është dhe një obligim ligjor, por gjithashtu një përgjegjësi institucionale dhe morale ndaj viktimave të luftës dhe familjeve të tyre. “Kjo zbardhje përbën një përgjegjësi ligjore dhe institucionale ndaj viktimave dhe familjarëve të tyre,” shtoi Gashi.
Ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin mes institucioneve dhe qytetarëve në vendin ku po zhvillohen gërmimet, duke theksuar se ky koordinim është i domosdoshëm për avancimin e hetimeve. “Ndihma dhe bashkëpunimi i institucioneve dhe qytetarëve janë thelbësore për identifikimin e viktimave dhe për gjetjen e personave përgjegjës për këto krime,” theksoi ai.
Autoritetet kanë njoftuar se do të vazhdojnë gërmimet dhe ekzaminimet në lokacionin e Zubin Potokut për të përcaktuar nëse aty ndodhen edhe mbetje të tjera mortore. Deri tani, në lidhje me këtë zhvillim, janë arrestuar tre persona.
Be the first to comment