Kupola e nxehtësisë që ka mbuluar Evropën do të vazhdojë të jetë e fuqishme gjatë fundjavës dhe do të përparojë ngadalë drejt Europës Qendrore.

Të premten, sipas CNN, temperaturat më të larta se normalja do të shtrihen nga Anglia dhe Franca Qendrore, duke kaluar nëpër vendet e Beneluksit dhe deri në Gjermani. Pritet që temperaturat të jenë ndërmjet 10 deri 15°C mbi mesataren klimatike, me maksimume që do të arrijnë gjerësisht nga 35°C deri mbi 40°C.

Kulmi i valës së të nxehtit pritet të jetë të shtunën në Gjermani, ku shumë qytete mund të regjistrojnë temperatura deri në 40°C.

Ndërkohë, në disa pjesë të Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës, temperaturat do të ulen pak të premten dhe të shtunën. Megjithatë, lehtësimi më i dukshëm pritet të ndodhë të dielën, pasi kupola e nxehtësisë do të vazhdojë lëvizjen drejt lindjes.

Në rajonin që përfshin Gjermaninë, Italinë, Austrinë, Çekinë, Hungarin dhe Poloninë, temperaturat do të mbeten shumë të larta, duke arritur gjerësisht 35-40°C.

Në Evropën Lindore, devijimet pozitive të temperaturës do të fillojnë të zbuten gradualisht. Megjithatë, gjatë pjesës më të madhe të javës së ardhshme temperaturat pritet të jenë 5 deri 10°C mbi mesataren për këtë periudhë të vitit.