Një ngjarje e pasigurt ka tronditur komunitetin shqiptar në ishullin e Kretës, Greqi. Roland Sala, një 33-vjeçar me origjinë nga Peshkopia e Dibrës së Shqipërisë, ka ndërruar jetë pas një periudhe prej rreth dy javësh në koma, si pasojë e një incidenti tragjik në det.
I riu, i cili jetonte prej vitesh në Angli, kishte udhëtuar në Kretë për të kaluar pushimet me familjarët e tij. Sot, më 28 korrik, në orën 18:00, trupi i tij do të niset nga Spitali i Rethimnos drejt Shqipërisë, për t’u përcjellë në banesën e fundit në vendlindje.
Lajmi është bërë i njohur përmes faqes së komitetit shqiptar në Rethimno. Komuniteti i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve për këtë humbje të rëndë. “Lamtumirë, Roland Sala! Kujtimi yt do të mbetet i paharruar në zemrat e të gjithë atyre që të njohën. I qoftë i lehtë dheu i tokës mëmë,” thuhet në mesazhin e tyre.
Gjatë qëndrimit në plazh në zonën e Rethimnos, Roland u përfshi nga dallgët dhe pësoi asfiksi. Ai u nxor me urgjencë nga uji dhe u transportua në spital, ku për rreth dy javë qëndroi nën kujdesin intensiv të mjekëve. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, ai nuk arriti të mbijetojë, duke lënë pas dhimbje të mëdha te familja, miqtë dhe komunitetin shqiptar në Kretë.



















You must be logged in to post a comment Login