Prokuroria Speciale ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për Igor Markoviqin, i cili u arrestua të dielën në Zveçan. Ai dyshohet për përfshirje në sulmet e dhunshme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës gjatë trazirave që ndodhën në vitin 2023.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, arrestimi i Markoviqit u realizua nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, pas një operacioni policor të zhvilluar në Zveçan.
Pas arrestimit, Prokuroria paraqiti një kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit. Markoviqi dyshohet se ka qenë i involvuar në veprime kriminale që lidhen me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe zyrtarëve të Policisë gjatë përleshjeve të dhunshme në veri të vendit.
Operacioni i së dielës u mbyll me arrestimin e të dyshuarit, ndërsa Prokuroria Speciale njoftoi se procedurat ligjore ndaj tij po vazhdojnë. Në kuadër të këtij njoftimi, ajo publikoi pamje zyrtare nga operacioni dhe momentin e arrestimit.
Tani pritet vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me kërkesën për paraburgim. I dyshuari gëzon të drejtën për t’u konsideruar i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.



















You must be logged in to post a comment Login