Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vendosur të vazhdojë për një vit gjendjen e jashtëzakonshme të lidhur me Ballkanin Perëndimor, një masë që përfshin gjithashtu Kosovën.
Ky vendim u njoftua përmes një dokumenti të Regjistrit Federal të Shteteve të Bashkuara, i cili i është dërguar Senatit dhe mban datën 22 qershor 2026.
Në dokument theksohet se gjendja e jashtëzakonshme do të vazhdojë për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme ndaj stabilitetit të rajonit. Sipas autoriteteve amerikane, individë dhe grupe të veçanta vazhdojnë të sfidojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve në Ballkanin Perëndimor. Këto veprime, sipas dokumentit, minojnë marrëveshjet dhe institucionet e krijuara pas luftërave, duke përfshirë raste të rënda korrupsioni që dëmtojnë sundimin e ligjit.
Dokumenti përshkruan se gjendja e jashtëzakonshme kombëtare, e shpallur me Urdhrin Ekzekutiv 13219 dhe e zgjeruar me Urdhrin Ekzekutiv 14033, do të vazhdojë të mbetet në fuqi pas 26 qershorit 2026.
Kjo masë, e cila rinovohet çdo vit nga administrata amerikane, u mundëson autoriteteve të ShBA-së të vendosin sanksione ndaj atyre që rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe proceset demokratike në rajon.



















You must be logged in to post a comment Login