Një ngjarje e papritur ka tronditur futbollin nigerian, pas shpalljes së vdekjes së mbrojtësit Chinedu Ozor, i cili pësoi një kolaps gjatë një ndeshjeje miqësore. Megjithatë, pas disa orësh, ai shfaqi shenja lëvizjeje në morg.
Ozor, lojtar i sapotransferuar te Katsina United, u rrëzua në minutat e para të ndeshjes përgatitore kundër Niger Tornadoes. Pas këtij incidenti, ai u dërgua menjëherë në spital, ku mjekët e deklaruan të vdekur.
Familjarët, tifozët dhe stafi i klubit u përballën me lajmin e trishtë, ndërsa trupi i tij u dërgua në morg. Situata mori një kthesë befasuese kur, sipas raportimeve, në morg u vu re se Ozor kishte lëvizur dorën, duke shkaktuar një reagim të menjëhershëm nga stafi mjekësor.
Pas konstatimit të shenjave të lëvizjes, futbollisti u transportua me urgjencë në Katsina General Hospital, ku aktualisht ndodhet në repartin e terapisë intensive. Ai është nën kujdesin e mjekëve dhe po merr oksigjen, ndërsa përpjekjet për të stabilizuar gjendjen e tij vazhdojnë.
Fillimisht, klubi Katsina United kishte njoftuar në rrjetet sociale se futbollisti kishte ndërruar jetë pas emergjencës mjekësore në fushë. “Ne vajtojmë humbjen tragjike të lojtarit tonë të sapoardhur, Chinedu Ozor, pas një emergjence mjekësore gjatë ndeshjes së sotme miqësore,” theksohej në njoftimin fillestar të klubit.
Pas zbulimit të shenjave të jetës, klubi publikoi një përditësim, duke konfirmuar se Ozor po merrte ndihmën e nevojshme në spital.
Lajmi i vdekjes së Ozor kishte shkaktuar reagime të fuqishme në futbollin nigerian. Klube ku ai kishte luajtur më parë, si Heartland dhe Kano Pillars, shprehën ngushëllimet e tyre. Edhe Nigeria Premier Football League dhe disa drejtues të tjerë të klubeve reaguan ndaj asaj që u besua si një humbje tragjike.
Ozor ishte transferuar te Katsina United vetëm në fillim të këtij muaji dhe po përgatitej për sezonin e ri. Aktualisht, të gjitha sytë janë të përqendruara te gjendja e tij shëndetësore dhe përpjekjet e mjekëve për ta stabilizuar.



















You must be logged in to post a comment Login