Një ngjarje tragjike ka tronditur futbollin në Tajlandë, pas vdekjes së futbollistit Safwan Awae, i cili humbi jetën nga një goditje rrufeje gjatë një ndeshjeje.
24-vjeçari, që sapo ishte transferuar te klubi Yala FC, i kampionatit të Ligës së Tretë, po luante në kuadër të Golok FA Cup më 4 gusht, në Su-ngai Kolok, provinca Narathiwat, në jug të vendit. Rrufeja goditi fushën e lojës gjatë takimit midis skuadrës SAMCOLTS dhe një ekipi tjetër.
Si pasojë e këtij incidenti, Awae u rrëzua në fushë dhe, megjithatë përpjekjet e bashkëlojtarëve dhe stafit mjekësor për ta shpëtuar, ai nuk arriti të mbijetojë.
Në këtë ngjarje, disa futbollistë të tjerë gjithashtu pësuan lëndime dhe u dërguan në spital për trajtim. Ndeshja u ndërpre menjëherë pas incidentit të rëndë.
Klubi Yala FC, së bashku me Federatën e Futbollit të Tajlandës, ka shprehur ngushëllimet e saj për familjen dhe të afërmit e futbollistit të ndjerë.



















You must be logged in to post a comment Login