Dy djem të mitur, të moshës tetë dhe 10 vjeç, janë gjetur të vdekur brenda një makine të mbyllur në Qipro. Dyshohet se ata ishin lënë të flinin në automjet gjatë temperaturave të larta.
Sipas mediave lokale, fëmijët, me origjinë bullgare dhe pjesëtarë të së njëjtës familje, u gjetën në një makinë të parkuar brenda një baze ushtarake britanike në Dhekelia. Në vendin e ngjarjes, kanë ndërhyrë policia e bazës dhe ekipet e emergjencës, por fatkeqësisht, fëmijët shpallën të vdekur.
Babai dhe njerka e tyre janë arrestuar nën dyshimin për neglizhencë. Zëdhënës të bazave britanike kanë konfirmuar se autoritetet janë duke hetuar rrethanat e ngjarjes në një banesë në Xylophagou, në distriktin e Famagustës.
Dyshohet se fëmijët ishin udhëzuar të flinin në makinë dhe se vdekja e tyre ka ardhur si rezultat i temperaturave të larta dhe mungesës së ajrit. Shkaku zyrtar i vdekjes do të përcaktohet pas autopsisë.
Sipas gazetës Cyprus Mail, në trupat e fëmijëve janë vërejtur shenja të djegieve nga nxehtësia. Media lokale raportojnë se automjeti ishte i mbyllur dhe i parkuar pranë një fushe, afër një zone të banuar.
Ky tragjedik rast është një tjetër pasojë e valëve ekstreme të të nxehtit që kanë përfshirë Evropën javët e fundit.
Në Francë, deri më tani, katër fëmijë kanë humbur jetën për shkak të temperaturave rekord. Mes viktimave është një foshnjë 18-muajshe, e cila u gjet pa shenja jete në një makinë pasi prindi dyshohet se e kishte harruar gjatë rrugës për në punë. Po ashtu, një djalë trevjeçar u gjet i vdekur në një makinë në periferinë e Parisit, ku temperaturat arritën mbi 40 gradë Celsius.
Në jug të Francës, dy vëllezër të tjerë, katër dhe dy vjeç, ndërruan jetë pasi pësojnë arrest kardiak në një automjet të parkuar jashtë shtëpisë së gjyshes së tyre.
Autoritetet franceze kanë njoftuar se vala e të nxehtit ka shkaktuar rreth 1,000 vdekje shtesë, kryesisht te personat mbi 65 vjeç dhe ata me probleme shëndetësore. Spitalet në Francë dhe Britani po raportojnë një rritje të ndjeshme të thirrjeve emergjente dhe shtrimeve, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për rrezikun e mbingarkesës në kapacitetet spitalore.
Be the first to comment