Një vajzë 4-vjeçare ka humbur jetën në spital, pas një aksidenti tragjik në fshatin Gotham, në qarkun Nottinghamshire të Anglisë. Aksidenti ndodhi të dielën, pak para orës 14:30, në rrugën Nottingham Road.
Sipas Policisë së Nottinghamshire, e mitura u dërgua me urgjencë në spital, por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ajo ndërroi jetë pak kohë më vonë si pasojë e plagëve të marra.
Në lidhje me ngjarjen, policia ka arrestuar një 59-vjeçar, i dyshuar për shkaktimin e vdekjes përmes drejtimit të rrezikshëm të automjetit. Pas marrjes në pyetje, ai është liruar me kusht, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Njësia e Hetimit të Aksidenteve Rrugore të Policisë së Nottinghamshire i bën thirrje dëshmitarëve që mund të kenë parë ngjarjen ose që disponojnë pamje nga kamerat e automjeteve (dashcam), për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
“Bëhet fjalë për një ngjarje thellësisht tragjike dhe mendimet tona janë me familjen dhe të afërmit e vajzës në këtë periudhë jashtëzakonisht të vështirë,” tha rreshteri Paul Clark.
Ai gjithashtu i bëri thirrje qytetarëve të mos spekulojnë në rrjetet sociale mbi rrethanat e aksidentit dhe të respektojnë privatësinë e familjes, derisa hetimet janë ende në zhvillim.
Policia ka kërkuar që çdo person që ka informacion për incidentin të kontaktojë autoritetet, duke cituar referencën 424 të datës 12 korrik.



















You must be logged in to post a comment Login