Policia shqiptare ka përfunduar operacionin e koduar “Hallkat”, i cili ka goditur një rast të dyshuar të trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë.
Gjatë këtij operacioni, në Maminas janë arrestuar dy persona. Një 34-vjeçar nga Kukësi, i dyshuar për trafikimin e armëve dhe municionit, si dhe një 39-vjeçare nga Prizreni, e cila dyshohet për moskallëzim të krimit.
Sipas Policisë së Shtetit, gjatë kontrollit të automjetit në të cilin po udhëtonin të dyshuarit, janë gjetur tre pistoleta dhe 34 fishekë. Këto armë dyshohet se janë trafikuar nga Kosova me qëllim për t’u shitur grupeve kriminale në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Po ashtu, gjatë kontrollit në banesën e 34-vjeçarit, është gjetur një armë e ftohtë, konkretisht një dorezë hekuri.
Hetimi vazhdon për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale individë të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Be the first to comment