Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për dëmet që u janë shkaktuar komunave si rezultat i marrëveshjeve që dobësojnë kompetencat lokale.
Në një intervistë në Edicionin Special në Klan Kosova, ai diskutoi protestën e organizuar nga kryetarët e komunave për të kundërshtuar qasjen e nivelit qendror ndaj atij lokal. Totaj theksoi se disa vendime të propozuara, nëse miratohen, do të dëmtonin rëndë funksionimin e komunave, duke u shprehur për shqetësime mbi planet për t’iu marrë tërësisht kompetencat lokale.
Gjatë bisedës, ai përmendi shkurtimin e grantit të performancës dhe marrjen e kompetencës për rekrutimin e stafit, si dhe çështjen e pronave komunale. Në fjalët e tij, këto masa do të çonin në shkatërrimin e komunave.
“Ishte e qartë se këta individë, përveçse nuk janë profesionalë, nuk janë as të vetëdijshëm për pasojat që po i shkaktojnë komunave me veprimet e tyre. Qeveria komunale do të mbetet pa kompetenca dhe nuk do të jetë në gjendje të kryejë asnjë punë, duke u kthyer në struktura që veprojnë si organizata joqeveritare, të paafta për të realizuar ndonjë funksion të rëndësishëm,” u shpreh ai.
Tutje, Totaj theksoi se niveli qendror nuk ka ofruar mbështetje për komunat, as në gjetjen e një zgjidhjeje për Kontratën Kolektive, dhe se kërkesat e vazhdueshme kanë qenë përjashtuar nga qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje.
Për këto shqetësime, ai paralajmëroi protestat në rrugë për të kërkuar vëmendjen e nivelit qendror pasi, sipas tij, komunat janë dëmtuar në mënyrë të konsiderueshme.
“Kohët e fundit, kemi dhe një shkurtim të grantit të performancës për arsim, duke lënë 3100 mësimdhënës pa financim. Qeveria po tenton t’ua nxjerrë mjetet nga buxheti komunal për investime lokale,” përfundoi ai.



















You must be logged in to post a comment Login