Sunny Hill Festival, festivali më i madh i muzikës në Kosovë, është njohur si një nga ngjarjet kryesore muzikore në Evropën Juglindore dhe ka marrë vëmendjen e disa prej mediave më të mëdha botërore.
Platformat ndërkombëtare si Associated Press (AP), Reuters, USA Today, Yahoo dhe Fortune e kanë promovuar festivalin, duke e sjellë atë në auditorin global. Kjo prani e mediave e pozicionon Sunny Hill në mesin e ngjarjeve muzikore që tërheqin interes edhe përtej rajonit.
Në një lajm të fundit, Sunny Hill njoftoi një partneritet ekskluziv me platformën globale Fever, e cila do të jetë partneri zyrtar ndërkombëtar për shitjen e biletave për edicionin e vitit 2026.
Kjo marrëveshje do t’i ofrojë Fever, platforma kryesore për zbulimin e përvojave dhe argëtimit live, mundësinë që të shërbejë si portë kryesore për rezervimin e biletave për publikun jashtë Kosovës. Fever planifikon të përdorë teknologjinë dhe rrjetin e saj global të marketingut për të mbështetur zgjerimin ndërkombëtar të festivalit. Po ashtu, Sunny Hill do të jetë i listuar në DICE, platformën e biletave që Fever e bleu në vitin 2025, duke e bërë më të lehtë për fanat të zbulojnë dhe të rezervojnë biletat.
Qëllimi i këtij bashkëpunimi është të lehtësojë udhëtimin e vizitorëve ndërkombëtarë, të nxisë shkëmbimin kulturor dhe të forcojë ndikimin ekonomik të festivalit në turizmin e Kosovës. Edicioni i sivjetmë do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht 2026 në Sunny Hill Festival Park në Prishtinë.
Mes artistëve të konfirmuar për këtë vit janë emra të njohur si Katy Perry, Martin Garrix, Lewis Capaldi, Dhurata Dora, Ledri Vula dhe shumë të tjerë. Festivali u themelua në vitin 2018 nga Dukagjin “Dugi” Lipa dhe promovimi i tij ndërkombëtar udhëhiqet nga fituesja e çmimeve Grammy, Dua Lipa.
Dukagjin Lipa, themelues i festivalit, ka theksuar se Sunny Hill është më shumë sesa një ngjarje muzikore. Ai shprehu se festivali sjell vëmendje për Kosovën, duke e promovuar vendin në mënyrë të veçantë, që asnjë fushatë turistike nuk mund ta arrijë.
Mariano Otero, nënkryetar i lartë i Fever, vlerëson Sunny Hill-in si një ngjarje që luan rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kjo ngjarje konsiderohet një motor zhvillimi për vendin, duke rritur interesin për turizmin dhe duke mbajtur vlerat ekonomike në Kosovë.
Sipas Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, edicioni i vitit 2025 ka gjeneruar rreth 22 milionë euro ndikim ekonomik, duke përfituar sektorët e hotelerisë, gastronomisë dhe transportit. Organizatorët kanë theksuar se ndikimi i vizitorëve, përfshirë shpenzimet e diasporës, arrin deri në 50 milionë euro për çdo edicion.
Gjatë festivalit të vitit të kaluar, hotelet në Prishtinë kishin kapacitet të plotë, me 99 deri në 100 për qind të zënies.
Sunny Hill Festival ka për qëllim të vendosë Kosovën në hartën globale kulturore, duke sjellë artistë ndërkombëtarë dhe duke promovuar vendin përmes muzikës dhe kreativitetit. Në vitin 2025, presidentja Vjosa Osmani i dorëzoi Dua Lipës shtetësinë e Kosovës, një moment që tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Çdo edicion gjeneron mijëra artikuj dhe miliarda shikime në media, duke përfshirë emra të njohur si BBC, The Guardian dhe Rolling Stone. Festivalin e mbështet Sunny Hill Foundation, e cila financion projekte në art, kulturë dhe arsim.
Përveç organizimit të festivalit, ka filluar një investim prej 7 milionë eurosh për transformimin e zonës së festivalit në një park publik, një trashëgimi për qytetarët që do të mbetet pas çdo edicioni.
Be the first to comment