Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Tokio promovon “shorcet” në punë për burra, gratë ankohen për “ngacmim me qimet e këmbëve”

Tokio promovon “shorcet” në punë për burra, gratë ankohen për “ngacmim me qimet e këmbëve”

Me rritjen e temperaturave gjatë kësaj vere, shumë burra në Japoni kanë filluar të shkojnë në punë me pantallona të shkurtra. Kjo nismë është dhënë mbështetje nga autoritetet e Tokios për të lehtësuar përballimin e vapës.

Qeveria Metropolitane e Tokios po inkurajon punonjësit të heqin dorë nga kostumet dhe kravatat tradicionale, duke zgjedhur veshje më komode, si bluza dhe pantallona të shkurtra. Kjo fushatë, e raportuar nga BBC, është një vazhdimësi e iniciativave për të kursyer energji dhe për t’u përshtatur me temperaturat e larta.

Guvernatorja e Tokios, Yuriko Koike, e prezantoi për herë të parë nismën “Tokyo Cool Biz” në prill, duke e shndërruar atë në një traditë verore në Japoni. Megjithatë, gati katër muaj pas fillimit të rekomandimit, ka pasur reagime të ndryshme nga punonjësit.

Disa e mirëpresin këtë ndryshim, duke thënë se ndihen më rehat në ambientin e punës, ndërsa të tjerë e konsiderojnë të padrejtë për gratë, të cilat shpesh presin të mbajnë geta edhe kur ekspozojnë pjesë të këmbëve. Disa gra e kanë përshkruar këtë situatë si “sunehara”, që përkthehet si “ngacmim me qimet e këmbëve”, duke shprehur sikletin e tyre.

Noboru Watanabe, zyrtar për mjedisin në Qeverinë Metropolitane të Tokios, theksoi se qëllimi është të ofrohet mundësi më e madhe për t’u përballuar me vapën, pa u imponuar rregulla strikte për veshje, për sa kohë që ato nuk janë fyese.

Një anketë e realizuar nga “Gorilla Clinic” në qershor zbuloi se 53.5% e të anketuarve ishin kundër veshjes së pantallonave të shkurtra në punë, ndërsa 46.5% e mbështetnin nismën. Arsyeja kryesore e kundërshtimit lidhej me shqetësimet për pamjen fizike dhe qimet në trup, me gratë që përbënin shumicën e atyre që ishin më skeptike.

Drejtor i “Gorilla Clinic”, Akifumi Funatsu, vuri në dukje se sipas tij, shumë burra po kërkojnë heqje me laser të qimeve në këmbë, jo vetëm për arsye estetike, por për të përmirësuar etikën shoqërore kur vishen pantallona të shkurtra.

Yuriko Koike ka iniciuar këtë ndryshim të kodit të veshjes që nga viti 2005, kur ishte ministre e Mjedisit. Fushata “Cool Biz” synonte uljen e konsumit të energjisë përmes veshjes së këmishave me mëngë të shkurtra.

Pas tërmetit dhe cunamit të vitit 2011, iniciativa u zgjerua me programin “Super Cool Biz” për të kursyer energji në vendet e punës dhe në shtëpi. Japoni, ashtu si shumë vende të tjera, po përballet me temperatura rekord dhe rritje të çmimeve të energjisë.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë ka paralajmëruar për vapë ekstreme këtë verë dhe ka filluar të përdorë termin “kokusho-bi” për ditët kur temperatura kalon 40 gradë Celsius. Sipas Agjencisë për Menaxhimin e Zjarreve dhe Fatkeqësive, gjatë një periudhe të shkurtër, shtatë persona humbën jetën nga goditja e nxehtësisë.

Përveç këshillave për hidratim dhe përdorimin e kondicionerëve, japonezët po përdorin gjithnjë e më shumë produkte për t’u mbrojtur nga vapa, përfshirë rroba me ventilatorë të integruar dhe peshqirë të lagësht njëpërdorimësh.

Ekspertët theksojnë se trupi ka nevojë për disa javë për t’u përshtatur me temperaturat e larta, duke rekomanduar që masat parandaluese ndaj goditjes së nxehtësisë të fillojnë gjatë sezonit të shirave, para mbërritjes së vapës. Lagështia e lartë në Japoni e vështirëson avullimin e djersës, duke e bërë edhe më të vështirë ftohjen natyrale të trupit.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

Mund të ju pëlqejn

Advertisement