Një kompleks i madh banesor është ndërtuar në rrugën “Beteja e Loxhës” në Pejë, afër linjave të tensionit të lartë 110kV të KOSTT-it. Ky zhvillim ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e banorëve të ardhshëm.
Një hulumtim i Kiks Kosovës ka zbuluar se një menaxher shitjesh i kompanisë “Shala Swiss Group” pranon gjatë një bisede me një gazetare të prezantuar si blerëse e interesuar se linjat e tensionit të lartë paraqesin një rrezik të konsiderueshëm. Ai shprehet se është e mundur që rreziku të rezultojë fatal.
Menaxheri thotë se përgjegjësia për këtë situatë bie mbi shtetin dhe thekson se objekti është ndërtuar me leje. Megjithatë, dokumentet e siguruara nga Kiks Kosova tregojnë se pretendimi i kompanisë se telat do të largohen ose do të futen nën tokë nuk është i vërtetë. KOSTT-i ka refuzuar tri herë kërkesat për zhvendosjen apo kabllimin nëntokësor të linjave, duke argumentuar se çdo ndërhyrje do të rrezikonte furnizimin me energji elektrik në Pejë dhe rajon.
Pëlqimi më i fundit i KOSTT-it për ndërtimin ka qenë me kushte të qarta: ndalimi i ndërtimit direkt nën linjat ajrore 110kV dhe kërkesa për qëndrimin e objektit së paku 5 metra larg projeksionit horizontal të përçuesit. Ky pëlqim ngërthen një objekt afarist dhe jo një kompleks banesor.
Kompleksi gjithashtu ka marrë leje nga Komuna e Pejës, por dokumentet tregojnë se kjo leje ka qenë e kushtëzuar me pëlqimin e KEDS-it, dokument që kompania nuk e ka dorëzuar tek Kiks Kosova. Një tjetër shqetësim është se “Hidrodrini” ka paralajmëruar se nuk garanton furnizim me ujë mbi katin e tretë pa instaluar sisteme pompash dhe rezervuarësh nga investitori.
Pavarësisht këtyre çështjeve, “Shala Swiss Group” pohon përmes avokatëve të saj se ndërtimi është realizuar me leje të vlefshme dhe në përputhje me dokumentacionin teknik të institucioneve kompetente. Kompania ka tentuar disa herë të kufizojë punën e ekipit të Kiks Kosovës, duke kërkuar identifikimin e gazetares, duke paralajmëruar kallëzime penale dhe duke kundërshtuar xhirimet në terren.
Be the first to comment