Me rastin e vizitës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Serbi, tifozët e klubit të futbollit “Cërvena Zvezda” dyndën në stadium me një banderolë që përmbante një mesazh për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Tifozët, të njohur si “Delije”, e quajtën Zelenskyn “nazist” dhe dënuan situatën e serbëve në Kosovë, duke pohuar se “po derdhin gjak”. Sipas mediave serbe, ata shprehen: “Derisa ti e pret një nazist në Beograd, Serbët po derdhin gjak në Kosovën e kryqëzuar”.
Mesazhi, ndonëse nuk e përmend me emër presidentin serb, duket se është drejtuar pikërisht atij, pasi ai ishte i pranishëm në pritjen e Zelenskyt.
Në stadium, përveç banderolës, u panë edhe flamuj rusë, ndërsa tifozët brohorisnin: “Serbët dhe rusët, vëllezër përgjithmonë”.
Gjatë pushimit të ndeshjes mes “Zvezdës” dhe Novi Pazarit, u dëgjuan këngë ruse në stadiumin “Maracana”.
Kujtojmë se gjatë një konference për media, presidenti Zelensky u pyet për mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës, por ai theksoi se qendrimi i Ukrainës për këtë çështje mbetet i pandryshuar.



















You must be logged in to post a comment Login