Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur të heqë dorë nga vizitat gjatë periudhës së pritjes për aktgjykimin e shkallës së parë, i cili pritet më 16 shtator.
Gazetarja Rina Mujku, bashkautore e emisionit “Info Magazine” në Klan Kosova, ka ofruar detaje të këtij zhvillimi. Ajo theksoi se ky informacion është nxjerrë në dritë përmes përgjigjes së dytë të ekipit mbrojtës të Thaçit ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Kjo përgjigje përfshin detaje rreth dorëzimit të një shumice prej 50,000 eurosh, e cila ishte ofruar nga Thaçi për lirim me kusht.
Mujku sqaroi se Thaçi ka hequr dorë gjithashtu nga kërkesa për ta rishikuar vendimin e gjyqtarit Kristopher Gosnell, i cili kishte ndaluar vizitat e Thaçit nga dhjetë persona për një vit. Në vendimin e korrikut 2025, ishin 11 persona të cilëve iu ishte ndaluar takimi me Thaçin. Megjithatë, pasi njërit prej tyre i është hequr kjo masë, Thaçi ka vendosur të mos e vazhdojë kërkesën për rishikim.
Ajo theksoi se sipas mbrojtjes së Thaçit, ai nuk ka për synim të zhvillojë ndonjë takim me këta vizitorë dhe nuk dëshiron të pengojë procesin gjyqësor, siç pretendon prokuroria. Kjo ishte një nga arsyet se pse mbrojtja e ka kërkuar lirinë me kusht për Thaçin, duke theksuar se edhe në qendrën e paraburgimit ai nuk kishte për qëllim të realizonte vizita me ata dhjetë persona.
Be the first to comment