Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për dy persona, D.A. dhe A.A., të dyshuar për veprën penale “Vrasja në tentativë”.
Sipas Prokurorisë, incidenti ka ndodhur më 13 gusht 2026, rreth orës 06:10, në marketin e pompës së derivateve “Hib Petrol” në Ferizaj. Në kërkesën për caktimin e paraburgimit, theksohet se ekziston dyshimi i bazuar se këta dy të pandehur, së bashku me një të mitur, kanë tentuar të vrasin të dëmtuarin A.Sh.
Pas një mosmarrëveshjeje që kishte ndodhur rreth një vit më parë në Zvicër ndërmjet të pandehurit A.A. dhe A.Sh., ata u takuan në ditën kritike. Sipas njoftimit të Prokurorisë, fillimisht ata e kanë përcjellë të dëmtuarin me veturë.
Kur i dëmtuari ka hyrë në market, D.A. dyshohet të ketë dalë nga vetura dhe të ketë nxjerrë një thikë nga xhepi, me të cilën e ka goditur A.Sh. në pjesën e majtë të abdomenit. Ndërkaq, A.A. dyshohet se ka goditur të dëmtuarin me grushte dhe shqelma, ndërsa i mituri, siç thuhet nga Prokuroria, e ka goditur me një shkop druri.
Si rezultat i sulmit, A.Sh. ka kërkuar ndihmë mjekësore fillimisht në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Prokuroria nënvizon se veprimet e të dyshuarve mund të përbëjnë veprën penale “Vrasja në tentativë”, sipas nenit 172, në lidhje me nenet 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Duke marrë parasysh dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të dy të dyshuarit, që prej 13 gushtit 2026 janë nën masën e ndalimit prej 48 orësh, në përputhje me vendimin e Prokurorit të Shtetit. Rasti vazhdon të hetohet, ndërsa vendimi për kërkesën për paraburgim pritet të merret nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
Be the first to comment