Opinionisti Rrahman Paçarizi ka kritikuar mënyrën e zhvillimit të takimeve ndërmjet liderëve politikë në Kosovë, duke theksuar se mungesa e transparencës i lë qytetarët pa informacion për temat e rëndësishme që po diskutojnë.
Gjatë emisionit “Rubikon” në Klan Kosova, Paçarizi ndau shqetësimet e tij në lidhje me faktin se krerët e partive politikë nuk ofrojnë detaje për bisedimet e tyre. Ai theksoi se arsyetimi për ruajtjen e konfidencialitetit nuk është i justifikueshëm, pasi ato çështje nuk kërkojnë fshehtësi të tillë.
“Janë duke folur për një qeveri që do të udhëheqë shërbimin ndaj qytetarëve të Kosovës,” tha ai. “Këta liderë përdorin fraza të përgjithshme si ‘është e domosdoshme të mos shkojmë në zgjedhje’ dhe ‘është e domosdoshme të bisedojmë’, duke krijuar iluzionin se po thonë diçka të rëndësishme. Po manipulojnë.”
Paçarizi theksoi se në të kaluarën qytetarët dhe mediat ishin më të informuar për proceset politike, duke përfshirë negociatat për formimin e institucioneve dhe ndarjen e përgjegjësive të qeverisë. Ai argumentoi se mënyra aktuale e zhvillimit të bisedimeve u jep mundësi liderëve që të mos jenë koherentë në qëndrimet e tyre.
“Po ja krijojnë komoditetin zotit Kurti dhe të tjerëve për të lëvizur ndërmjet qëndrimeve,” deklaroi ai, duke theksuar pasigurinë që krijon kjo praktikë.
Duke komentuar deklaratat e liderëve pas takimeve, Paçarizi shprehu se ato nuk ofrojnë informacion të vlefshëm për qytetarët. “Për qytetarët e Kosovës është esencial të dinë çfarë është diskutuar,” përfundoi ai. “Ata nuk po bëjnë hetime dhe as nuk po merren me politika globale për të mbuluar ndonjë çështje, por po flasin se si t’ua ofrojnë shërbimet qytetarëve dhe si të zhvillojnë vendin.”
Be the first to comment