Kryetari i Degës së LDK-së në Vushtrri, Xhafer Tahiri, ka ngritur alarmin në lidhje me gjendjen e vështirë me të cilën përballen prodhuesit e qumështit në këtë komunë.
Në një reagim publik, Tahiri theksoi se fermerët janë duke u përballur me situatën më të rëndë të viteve të fundit. Ai akuzoi Komunën e Vushtrrisë se nuk ka realizuar premtimin për subvencionimin e qumështit me 7 centë për litër.
Në reagimin e tij, ai publikoi rastin e një fermeri që është detyruar të derdhë qumështin në lumin Silnicë, pasi qumështorja ku e dorëzonte prodhimin ka ndërprerë aktivitetin.
“Prodhuesit e qumështit në Vushtrri janë në gjendjen më të vështirë ndër vite. Komuna nuk po e paguan subvencionin prej 7 centësh për litër, ashtu siç u premtoi në fushatë. Ky fermer sot është detyruar ta derdhë qumështin në lumin Silnicë, sepse qumështorja ku e ka dorëzuar qumështin është mbyllur,” deklaroi Tahiri.
Në përfundim, ai bëri thirrje për mbështetje institucionale ndaj fermerëve, duke theksuar se prodhuesit vendorë të qumështit kanë nevojë për veprime konkrete.
“Kjo gjendje duhet të ndryshojë. Prodhuesit vendorë të qumështit meritojnë mbështetje institucionale,” u shpreh Tahiri.
Be the first to comment