Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka shprehur vlerësim të lartë për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, pas intervistës së tij të dhënë pak para shpalljes së aktgjykimit në Hagë.
Tahiri e ka cilësuar Thaçin si një nga figurat kryesore që ka kontribuar në lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Ai e përshkruan atë si një burrështetas me një kontribut të jashtëzakonshëm për vendin.
“Unë mendoj se kjo është një dëshmi e radhës që kemi të bëjmë me një lider të madh, lider i lirisë, shtetndërtimit dhe pavarësisë së Kosovës. Thaçi është një burrështetas unik, i cili ka udhëhequr të gjitha proceset dhe është vula e secilës punë të mirë në organizatën e shtetit të Kosovës,” ka thënë ai.
Tahiri gjithashtu ka theksuar se intervista e Thaçit ka ngjallur emocione dhe krenari, duke përmendur rrugëtimin e tij dhe kontributet në procese të ndryshme politike dhe historike të vendit.
“Është një emocion i veçantë, por njëkohësisht edhe krenari ta dëgjojmë këtë mesazh dhe të jemi të vetëdijshëm për rrugën dhe sakrificën e tij personale e familjare në procesin e shtetndërtimit, duke filluar nga faza e organizimit, liria, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, bisedimet në Rambuje dhe Vjenë, shpalljen e pavarësisë, si dhe njohjet që sot i gëzon Republika e Kosovës,” ka përfunduar Tahiri.



















You must be logged in to post a comment Login