Tre zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore gjatë një ndërhyrjeje në Ferizaj. Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, incidenti ndodhi në rrugën “Gavrill Dara”, ku policia kishte shkuar për të trajtuar një rast të raportuar si kanosje.
Kur kanë mbërritur, policët kanë gjetur një grup të madh personash, pasi dy familje ishin përfshirë në një konflikt. Gjatë tentativës për të arrestuar një nga të dyshuarit, situata u acarua. Një person, i identifikuar si M.S, ka bërë përpjekje aktive për të penguar arrestimin e të dyshuarit P.H.
Gjithashtu, janë përfshirë edhe më shumë familjarë, përfshirë ata të Premtim Hamidit, të cilët kanë sulmuar zyrtarët policorë. Sipas burimeve, njëri nga të dyshuarit, B.H, ka goditur me grusht në gjoks një zyrtar dhe e ka kanosur atë me fjalë kërcënuese.
Si rezultat i këtij incidenti, tre zyrtarë policorë kanë marrë lëndime dhe janë pajisur me raporte mjekësore. Për shkak të rezistencës, policët janë detyruar të përdorin forcën e nevojshme dhe sprejin OC për të qetësuar situatën.
Pas intervistimit të palëve, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar hapjen e një rastit për veprën penale “Pengim ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”. Të dyshuarit janë liruar pas procedurave të rregullta, ndërsa hetimet janë kaluar te Njësia Rajonale e Hetimeve për veprime të mëtejshme.















You must be logged in to post a comment Login