Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj një ish-zyrtari të Komunës së Suharekës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Në këtë rast është i përfshirë gjithashtu i akuzuari A.M., i cili ngarkohet me veprën penale “Keqpërdorimi apo mashtrimi në prokurim publik”.
Sipas aktakuzës, B.B., në rolin e drejtorit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Suharekës, nga 23 shtatori 2019 deri më 20 dhjetor 2021, në kapacitetin e menaxherit të kontratës për projektin “Ndërtimi i lapidarit për viktimat e viteve 1912-1945” në fshatin Samadraxhë, dyshohet se ka tejkaluar kompetencat e tij.
Ai akuzohet se veprimet e tij kishin si qëllim t’i mundësonin operatorit ekonomik “A.G.” Sh.P.K. përfitime të paligjshme. Në brendësi të projektit, me një vlerë totale prej 28,650 euro, B.B. ka nënshkruar një pagesë prej 5,000 euro për situatën e katërt të kontratës, duke pretenduar se punimet ishin kryer sipas paramasës, ndërkohë që në terren ato nuk ishin realizuar siç ishte parashikuar dhe asnjë kërkesë për kolaudim apo ndryshim nuk ishte paraqitur. Kjo ka shkaktuar një dëm material në shumën prej 5,000 euro për Komunën e Suharekës, siç është vërtetuar me një ekspertizë ndërtimtarie.
Nga ana tjetër, A.M., si person përgjegjës i operatorit ekonomik “A.G.” Sh.P.K., dyshohet se nuk ka zbatuar detyrimet e saj nga kontrata e prokurimit publik për realizimin e projektit. Ai ka pranuar pagesën prej 5,000 euro sipas situatës së katërt të kontratës, edhe pse punimet e parashikuara nuk ishin përfunduar siç ishte përcaktuar.
Prokurori i çështjes ka propozuar që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.



















You must be logged in to post a comment Login