Pas afro 30 vitesh, një nga çështjet më të bujshme të historisë së hip-hopit mori një vendim gjyqësor të rëndësishëm. Duane “Keffe D” Davis, ish-drejtues i bandës South Side Compton Crips, u shpall fajtor për vrasjen e reperit amerikan Tupac Shakur.
Juria në Las Vegas e shpalli 63-vjeçarin fajtor për vrasje me armë vdekjeprurëse, në lidhje me atentatin ndaj Tupac më 7 shtator 1996. Sipas prokurorisë, Davis nuk ishte personi që qëlloi direkt mbi reperin, por ai organizoi sulmin dhe siguroi armën e përdorur në atentat. Prokurorët argumentuan se arma iu dha nipit të tij, Orlando Anderson, i cili dyshohet se hapi zjarr nga një automjet në lëvizje.
Hetuesit lidhin ngjarjen me një përleshje që kishte ndodhur disa orë më parë në Las Vegas, ku Anderson kishte konfliktuar me Tupac Shakur dhe pjesëtarë të grupit të tij. Prokuroria pretendon se ky konflikt shërbeu si shkak për hakmarrjen që çoi në sulmin fatal.
Mbrëmjen e 7 shtatorit 1996, Tupac po udhëtonte me makinë në Las Vegas kur një automjet u afrua pranë tij dhe filloi të qëllonte. Reperi u dërgua në spital, por ndërroi jetë më 13 shtator, në moshën 25 vjeçare.
Mungesa e një të pandehuri dhe një vendimi gjyqësor e shndërroi vrasjen në një nga misteret më të mëdha të muzikës amerikane. Çështja ishte e shoqëruar me teori të shumta konspirative dhe spekulime për autorët dhe motivet e atentatit.
Një pjesë e rëndësishme e provave kundër Davis janë deklaratat e tij të bëra në vite. Ai ka folur publikisht për ngjarjen dhe ka pranuar se ndodhej në Cadillac-in e bardhë nga ku u kryen të shtënat, duke dhënë detaje në intervista.
Davis gjithashtu kishte folur për përfshirjen e tij gjatë një interviste sekrete me policinë në vitin 2008. Në vitin 2019, ai publikoi librin “Compton Street Legend”, ku përshkroi pjesë të historisë së tij.
Mbrojtja, megjithatë, argumentoi se deklaratat e Davis nuk ishin prova të besueshme. Avokatët pretenduan se ai kishte ekzagjeruar ose sajuar histori për përfitime financiare dhe për të rritur famën e tij.
Pas shpalljes fajtor, Davis deklaroi se do ta apelojë vendimin. Ndërkohë, familjarët e Tupac u shprehën me emocione në sallën e gjyqit, duke u përqafuar dhe përlotur pas leximit të vendimit.
Tupac Shakur mbetet një prej figurave më të rëndësishme të historisë së hip-hopit. Ai u vra në kulmin e karrierës së tij dhe ka shitur më shumë se 75 milionë albume në mbarë botën. Reperi, i njohur për hitet “California Love” dhe “All Eyez on Me”, ishte pjesë e labelit Death Row Records dhe kishte rivalitete me Bad Boy Records dhe figura të tjera të njohura.
Që kur ishte adoleshent, Tupac e kishte njohur jetën e rrugës, duke e shndërruar atë në vargjet e tij. Ai shpeshherë ka ndikuar në vetëdijesimin e popullit amerikan për të drejtat e tyre, sidomos për komunitetin e njerëzve me ngjyrë.
Yje të tjerë të Hip Hopit, si Dr. Dre dhe Snoop Dogg, kanë kujtuar Tupac në festivalin Coachella, ku reperi u ringjall në skenë në formë hologrami, duke performuar këngët “Americas Most Wanted” dhe “Hail Mary”.
Edhe 17 vjet pas vdekjes së tij, 2Pac konsiderohet si një prej emrave më të ndikshëm në muzikën e hip-hopit të sotëm. Ai mbetet një simbol i pavdekshëm, shpesh i pranishëm në tekstet dhe këngët në kujtim të tij.
Be the first to comment