Deputeti i zgjedhur nga Aleanca, Bekë Berisha, ka bërë thirrje për një mobilizim politik dhe qytetar, duke shprehur shqetësim për gjendjen aktuale në vend.
Në një lidhje telefonike për emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, Berisha theksoi se shteti i Kosovës po përballet me rrezik dhe se nuk duhet lejuar që të arriturat e vendit të dëmtohen. Ai shprehu shqetësimin se “shteti ynë është duke u shpërbërë para syve tanë”.
Berisha nënvizoi se shumë persona kanë sakrifikuar për lirinë dhe institucionalizimin e vendit, dhe se është e domosdoshme të parandalohen ata që nuk kanë atdhetarizëm të vërtetë. Ai tha se kundërshtimi do të realizohet përmes veprimeve politike dhe protestave, duke bërë thirrje për mobilizimin e qytetarëve.
“Me të gjitha format do ta ndalojmë, në Kuvend e në rrugë. Na nevojitet një mobilizim i përgjithshëm,” tha ai, duke shtuar se ndjehet e nevojshme të angazhohen ata që e ndiejnë veten shqiptar.
Berisha kritikoi gjithashtu mundësinë e rifillimit të procesit zgjedhor, duke theksuar se vendi nuk duhet të kalojë përsëri në zgjedhje pa nevojë. “Është hera e tretë që shkojmë në zgjedhje, dhe nuk guxojmë të katërtën,” shprehu ai mendimin e tij.
Në përfundim, ai u bëri thirrje qytetarëve që ta kuptojnë seriozitetin e situatës dhe rëndësinë e ruajtjes së shtetit. “Duhet të bëjmë gjithçka për ta mbajtur të fortë shtetin tonë. Populli duhet të kuptojë që jemi në një situatë të vështirë,” theksoi Berisha.
Be the first to comment