Deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, se Kosova është pjesë e Serbisë, si dhe ato të ministres së tij, Snezhana Paunoviç, për spastrimin etnik të Kosovës, janë dënuar ashpër nga ministri i Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha.
Gjatë një konference në Tiranë me homologun e tij kroat, shefi i diplomacisë shqiptare theksoi se retorika nacionaliste nuk mund ta tërheqë zvarrë rajonin. Hoxha theksoi rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke shprehur se ky proces nuk mund të ndërtohet mbi revizionizmin historik ose mohimin e fakteve.
“Ky dialog nuk mund të përfshijë glorifikimin e kriminelëve të luftës apo retorika përçarëse. Deklaratat që relativizojnë dhe justifikojnë krimet e luftës, të dënuara nga drejtësia ndërkombëtare dhe ndërgjegjja njerëzore, janë të papranueshme,” u shpreh Hoxha.
Ministri Hoxha i përgjigj edhe drejtpërdrejt Vuçiçit lidhur me marrëveshjen ushtarake mes Tiranës, Zagrebit dhe Prishtinës. Ai tha se çdo angazhim, qoftë dypalësh, tripalësh apo më shumë, nuk duhet të shqetësojë askënd dhe nuk duhet të shfrytëzohet për justifikimin e militarizimit të vendit dhe shoqërisë.
“Çdo përpjekje për të ringjallur ndasitë e së kaluarës dhe për të ushqyer tensione nuk do të ndikojë në të ardhmen tonë të përbashkët evropiane,” shtoi ai.
Marrëveshja trepalëshe, që është kritikuar ashpër nga Serbia, u komentua edhe nga ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grlić-Radman. Ai theksoi thellimin e bashkëpunimit rajonal, si dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve mike.



















You must be logged in to post a comment Login