Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Shqipëria ende në luftë me zjarre, 10 vatra mbeten aktive

Shqipëria ende në luftë me zjarre, 10 vatra mbeten aktive

Strukturat e Mbrojtjes Civile, bashkë me efektivët e Forcave të Armatosura, vijojnë përpjekjet në terren për menaxhimin e zjarreve të shpërndara në disa qarqe të vendit. Sipas bilancit të fundit të publikuar nga Ministria e Mbrojtjes, aktualisht në territor po ndiqen 13 vatra zjarri, prej të cilave 10 janë aktive, 2 nën kontroll dhe 1 e shuar plotësisht.

Edhe pse relievi malor është i thyer dhe kushtet atmosferike janë sfiduese, autoritetet konfirmojnë se përpjekjet e koordinuara nga toka dhe ajri kanë arritur të shmangin rrezikun për zonat e banuara.

Lura dhe Bulqiza në fokusin e operacioneve masive

Parku Kombëtar i Lurës në qarkun e Dibrës është pika më kritike e operacioneve, ku është mobilizuar një forcë e konsiderueshme njerëzore dhe logjistike. Në Lurë janë angazhuar 200 forca të pushtetit vendor, 50 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 punonjës të Policisë së Shtetit dhe 18 vullnetarë, së bashku me dy automjete zjarrfikëse dhe dy avionë specialë.

Koordinimi i këtij angazhimi ka lejuar bllokimin e depërtimit të flakëve pranë shtëpive. Në Bulqizë, vatra mbetet aktive, por ekipet operacionale kanë arritur të izolojnë disa segmente kyçe.

Operacionet në Tiranë dhe Krujë

Në qarkun e Tiranës dhe të Durrësit, përpjekjet janë përqendruar në mbrojtjen e masiveve pyjore dhe zonave periferike. Në Mali i Dajti, një ekip prej 9 efektivësh të ADZM-së po mbështetet nga ajri me ndihmën e dy helikopterëve të Forcave të Armatosura. Ndërsa në Priskë – Farkë, 30 forca të MZSH-së me 6 mjete zjarrfikëse kanë arritur të sjellin situatën nën kontroll, duke eliminuar rrezikun për banesat.

Në Krujë, ndërhyrja ajrore ka normalizuar gjendjen në Zidoll, ku po punohet për fikjen e zonave të mbetura të zjarrit.

Reshjet e shiut ndihmojnë jugun; fiket vatra në Peqin

Në rajonet jugore dhe juglindore, faktorët atmosferikë janë ndihmues për ekipet në terren. Reshjet e fundit në Përmet dhe Qukës kanë stabilizuar vatrat aktive, ndërsa vatra në Paulesh të Peqinit është shuar plotësisht. Monitorimi vazhdon pa probleme në Gjirokastër, Lezhë, Elbasan dhe Shkodër.

Ministria e Mbrojtjes, përmes një komunikimi zyrtar, theksoi përkushtimin e të gjitha agjencive ligjzbatuese në terren. Ajo deklaroi se pavarësisht terrenit të vështirë, vijon angazhimi i koordinuar nga toka dhe ajri, pa rreziqe për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) konfirmoi se prioritet mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, duke punuar ngushtë me strukturat qendrore dhe vendore për të menaxhuar situatën dhe për të kufizuar vatrat aktive.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

Mund të ju pëlqejn

Advertisement