Një aheng familjar në Prishtinë ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë pasi në atë zonë janë dëgjuar të shtëna të shumta me armë zjarri, konfirmon Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të besueshme, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në rrugën “Llapi”. Banorët e zonës raportuan për krisma të vazhdueshme që vinin nga një festë.
Pas marrjes së njoftimit, policia dhe Njësia e Reagimit të Shpejtë kanë shkuar në vendngjarje. Atje, ata kanë gjetur një numër të konsiderueshëm gëzhosh të shpërndara në lokacion.
Më tej, me urdhër të Prokurorit, policia ka bastisur shtëpinë ku po zhvillohej festimi. Gjatë bastisjes, është zbuluar një pistoletë pa numër serik dhe në një veturë BMW të parkuar afër është gjetur një armë automatike AK-47.
Të dhënat për sekuestrim janë të pazakonta: janë gjetur 155 gëzhoja të kalibrit 7.62 nga arma automatike, 11 gëzhoja të tjera të të njëjtit kalibër dhe 4 gëzhoja 9 milimetërshe nga arma e shkurtër.
Në vendngjarje janë identifikuar edhe dy persona, Besart Ajeti dhe Enver Ramadani, të cilët janë shoqëruar në Polici dhe janë intervistuar në prani të avokatëve të tyre.
Pas hetimeve, Prokurori i Shtetit ka iniciuar procedime për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Megjithatë, pavarësisht arsenalit të gjetur dhe numrit të madh të gëzhojave të sekuestruara, të dyshuarit janë liruar sipas procedurës normale, ndërsa hetimet vazhdojnë.















You must be logged in to post a comment Login