Shoqata e Prodhuesve të Kosovës, në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës dhe prodhuesit e qumështit dhe produkteve me bazë shtazore, ka kërkuar veprime të menjëhershme nga institucionet për mbrojtjen e zinxhirit vendor të prodhimit.
Në një komunikatë për mediat, pas një takimi të zhvilluar sot, theksohet se sektori i qumështit dhe përpunimit të produkteve vendore është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së Kosovës. Ky sektor kontribuon në zhvillimin rural, krijimin e vendeve të punës dhe sigurinë ushqimore në vend.
Shoqata ka vënë në dukje se çdo deklaratë apo veprim që dëmton besimin e konsumatorëve ndaj produkteve vendore, pa u mbështetur në fakte të qarta, ndikon negativisht në një sektor të tërë dhe në mijëra familje që varen nga ky aktivitet.
Në këtë kontekst, janë paraqitur disa kërkesa nga ana e institucioneve:
-
Publikimi i menjëhershëm i rezultateve të analizave zyrtare
Kërkohet nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe Ministria e Bujqësisë që të publikojnë rezultatet e analizave laboratorike në mënyrë transparente, për të eliminuar paqartësitë në treg. -
Mbështetje konkrete institucionale për prodhuesit vendorë
Shoqata kërkon nga Qeveria e Kosovës të ndërmarrë masa urgjente për mbështetje të zinxhirit prodhues, përmes politikave fiskale dhe lehtësimeve administrative. -
Ndaljen e deklarimeve që dëmtojnë sektorin pa bazë faktike
Çdo pretendim për cilësinë e produkteve duhet të trajtohet nëpërmjet institucioneve kompetente, duke shmangur veprimet që krijojnë pasiguri për konsumatorët. -
Përshpejtimin e hapave për eksportin në tregjet evropiane
Kërkohet që të ndërmerren masa konkrete për të mundësuar eksportin e produkteve me bazë shtazore në tregun evropian, duke avancuar njohjen e certifikatave përkatëse. - Respektimin e standardeve profesionale në raportim dhe mbikëqyrje
Institucionet dhe të gjitha palët e përfshira duhet të veprojnë sipas ligjeve në fuqi, duke siguruar një treg të sigurt dhe konkurrues për të gjithë operatorët.
Prodhuesit lokalë kanë investuar në teknologji dhe kanë punuar vazhdimisht për përmbushjen e standardeve. Ata meritojnë mbështetje dhe trajtim të barabartë, duke shmangur cenimin e reputacionit pa prova të qarta.
Shoqata e Prodhuesve të Kosovës dhe Oda Ekonomike e Kosovës mbeten të angazhuara për një dialog konstruktiv me institucionet, në interes të konsumatorëve dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Be the first to comment