Një rast i pazakontë është raportuar mëngjesin e së enjtes në Stacionin Policor në Gjilan. Një person ka përfunduar nën procedurë penale pasi iu gjet një substancë narkotike gjatë qëndrimit në ambientet e Policisë, sipas burimeve të Gazetës Sinjali.
Sipas informacioneve të besueshme, rreth orës 09:00, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë kanë filluar një rast për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i substancave narkotike, psikotrope ose analoge”.
Konkretisht, Sabit Rashiti kishte shkuar në sportelet e stacionit policor për të dorëzuar disa dokumente. Gjatë këtij procesi, ai është vërejtur nga një zyrtar policor që merret me realizimin e urdhëresave. Dyshimet kanë çuar në kryerjen e një kontrolli trupor ndaj tij.
Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe konfiskoi një sasi të substancës së dyshuar narkotike, konkretisht marihuanë. Testi i bërë ka rezultuar pozitiv, dhe pesha e substancës së sekuestruar ishte rreth 1.3 gram.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit nga Prokuroria Themelore në Gjilan, i cili ka urdhëruar që i dyshuari të intervistohet dhe më pas të lirohet në procedurë të rregullt.
Rasti aktualisht është në trajtim nga organet kompetente.



















You must be logged in to post a comment Login