Në një operacion të policisë së Vlorës të koduar “West”, janë arrestuar pesë persona, përfshirë dy shtetas italianë, në lidhje me shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Policia ka sekuestruar 700 doza lëndësh narkotike. Hetimet paraprake sugjerojnë se këta individë kishin si synim shitjen e narkotikëve në plazhe dhe lokale.
Në një njoftim nga policia, theksohet se operacioni erdhi pas administrimit të informacionit të siguruar për individë që transportonin lëndë narkotike në qytetin e Vlorës. Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, nën drejtimin e Prokurorisë dhe me mbështetje operacionale, realizuan suksesin e operacionit.
Gjatë arrestimeve, janë identifikuar shtetasit N. K. (20 vjeç), R. H. (20 vjeç), M. M. (23 vjeç) nga Lezha, si dhe C. L. (42 vjeç) nga Roma dhe C. S. (37 vjeç) nga Palermo.
Grupi u kap në zonën e Zvërnecit. Gjatë kontrollit fizik dhe në automjetin e tyre, si dhe në banesën në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, policia gjeti 700 doza lënde narkotike, një shumë parash të dyshuara si të përfituara nga veprimtaria kriminale, si dhe 8 aparate celularë.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprimet e mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” në bashkëpunim.
Be the first to comment