Opinionistja Anita Shabani ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke theksuar se ky i fundit nuk tregohet i interesuar për formimin e institucioneve, por për ruajtjen e pushtetit.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Shabani shprehu mendimin se Kurti është duke e zvarritur procesin e krijimit të institucioneve dhe se nuk po ofron një marrëveshje serioze partive opozitare për të arritur një konsensus.
“Po e konsumon kohën dhe po e shfrytëzon për fushatë ‘ne u munduan, mirëpo opozita është bllokuese’. Ai nuk po i ofron opozitës asgjë për të arritur një konsensus dhe për formimin e institucioneve. Prandaj, mendoj se z. Kurti nuk është aspak i interesuar për këtë proces,” u shpreh ajo.
Shabani theksoi se qeveria e udhëhequr nga Kurti nuk ka sjellë ndryshimin e pritur. “Përderisa ai nuk ka arritur të realizojë atë ndryshim, ne nuk kemi progres; kemi vetëm regres,” tha ajo.
Ajo vlerëson se Kurti nuk po arrin të qeverisë dhe se situatat e krizës i shërbejnë politikisht. “Përderisa z. Kurti nuk po di të qeverisë, e vetmja gjë që po di të bëjë është të krijojë kriza, dhe në to ai po mbijeton,” nënvizoi Shabani.
Duke folur për motivet e mbajtjes së pushtetit, ajo theksoi se Kurti e dëshiron atë për përfitimet që i sjell posti. “Z. Kurti po e pëlqen pushtetin, por nuk po di të qeverisë. Ai e do pushtetin sepse është i leverdishëm për të,” përfundoi Shabani në Klan Kosova.
Be the first to comment