Procesi mësimor në Kosovë pritet të nisë më 1 shtator. Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka deklaruar për Klankosova.tv se të gjithë mësimdhënësit janë të gatshëm për të filluar vitin e ri shkollor.
Megjithatë, me ngushtimin e kohës deri në hapjen e shkollave, sindikata ka shprehur shqetësimin për një problem që ka vazhduar për disa vite. Sekretari i SBAShK-ut, Ymer Ymeri, ka theksuar se janë të paqartë në lidhje me informacionet sipas të cilave disa mësimdhënës po konsiderohen si “tepricë teknologjike” në disa komuna.
“Ne kemi shqetësime për disa komuna që pretendojnë se disa mësimdhënës janë ‘tepricë teknologjike’. Kjo është e paqartë për ne, pasi në ato komuna po organizohen konkurse për pozita mësimdhënëse dhe vazhdimisht po pranojnë, por duket se duan të heshtin zërin kritik,” ka thënë Ymeri për Klankosova.tv.
Sa i përket procesit mësimor, Ymeri ka biseduar përgatitjet e shkollave dhe ka theksuar se sipas informacionit që kanë, të gjitha ato janë gati për fillimin e vitit shkollor. Ai ka shprehur se mësimdhënësit që përfaqësohen nga sindikata kanë filluar të paraqiten në shkolla dhe janë të gatshëm për procesin mësimor. Në shumicën e shkollave, përgatitjet janë përfunduar, ndërsa disa renovime janë në përfundim.
Ymeri gjithashtu ka shprehur shpresën se procesi i subvencionimit të librave shkollorë do të shkojë mirë dhe se nxënësit do të marrin librat pa vonesa. Ai ka theksuar se sindikata nuk planifikon të organizojë ndonjë veprim sindikal që mund të vonojë fillimin e procesit mësimor, duke shpresuar se kërkesat e tyre do të merren parasysh në nivelin qendror.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit ka konfirmuar gjithashtu se mësimi do të fillojë më 1 shtator. Sidoqoftë, Këshilli i Prindërve ka shprehur pakënaqësi lidhur me mënyrën e subvencionimit të teksteve shkollore dhe disa kërkesa të tjera që, sipas tyre, nuk janë marrë parasysh nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.



















You must be logged in to post a comment Login