Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

 ‘Rrugëtimi më i vështirë i jetës’ – si u largua Murat Dërnjani nga Siria me tre fëmijët? (VIDEO)

 ‘Rrugëtimi më i vështirë i jetës’ – si u largua Murat Dërnjani nga Siria me tre fëmijët? (VIDEO)

Pas pesë vitesh qëndrimi në Siri, Murat Dërnjani tregon se vendimi për të emigruar u mor pas vdekjes së bashkëshortes së tij në vitin 2016. Në një intervistë për emisionin MAT në Klan Kosova, ai rrëfen për sfidat që përballi gjatë largimit nga Siria, për udhëtimin trejavësh drejt kufirit turk dhe arrestimin e tij të mëvonshëm.

Dërnjani shprehet se kishte dëshiruar të largohej më herët, sidomos për shkak të sëmundjes së gruas së tij nga zemra. Ai kishte propozuar disa herë që të shkonin në Turqi për ndihmë mjekësore, por ajo nuk pranonte. Pas vdekjes së saj, Dërnjani mori tre fëmijët dhe në korrik të vitit 2017 vendosi të largohet nga Siria.

Ai përshkruan këtë proces si shumë të vështirë. “Më shumë vuajta për t’u larguar sesa për t’u hy në Sirinë e brendshme,” thotë ai.

Për t’u larguar, Dërnjani u detyrua të përdorte një autobus me turistë, duke u përpjekur të mos tërhiqte vëmendjen. “Hypa në autobus me fëmijët e mi dhe nisi rrugëtimin më të vështirë të jetës sime,” tregon ai.

Gjatë tre javëve të udhëtimit, Dërnjani kaloi nëpër dhjetëra pika kontrolli të mbikëqyrura nga grupe të ndryshme të armatosura. Ai përshkruan kalimin në rreth 60-70 pika kufitare, duke përmendur grupet e ushtrisë së lirë, kurdëve dhe Al-Kaidës.

Edhe pse rreziku ishte prezent, shqetësimi kryesor për Dërnjanin ishte siguria e fëmijëve të tij. “E gjitha ishte për fëmijët e mi, që ata të mos kapeshin,” shprehet ai.

Në një moment, ai arriti të shkonte te ushtarët turq, ku u prezantua si shtetas turk, duke përdorur njohuritë e tij të gjuhës turke. “Mujta me vrapu te ushtarët turq dhe ata më morën në mbrojtje, bashkë me fëmijët,” rrëfen ai.

Dërnjani qëndroi 45 ditë nën mbikëqyrjen e autoriteteve turke deri sa u verifikua shtetësia e tij kosovare, e më pas u ekstradua në Turqi. “Pa asnjë dokument, me tre fëmijë të vegjël,” thotë ai.

Megjithatë, kthimi i tij nuk përfundoi me daljen nga Siria. Ai përfundoi duke kaluar 11 muaj në burg në Turqi, derisa u vendos për ekstradimin e tij në Kosovë ose Gjermani. Pas pranimit të fëmijëve nga Kosova, Dërnjani vendosi të kthehet atje.

“U thashë prindërve të mi që të kontaktojnë me Kosovë, sepse nga fillimi kam dashur të vuaj dënimin këtu,” thotë ai. Në Kosovë, Dërnjani pranoi akuzat për pjesëmarrje në luftën në Siri dhe u dënua me pesë vjet burgim.

Fëmijët e tij u vendosën fillimisht në kujdesin social në Prishtinë. Pas verifikimit të ADN-së, ata iu dhanë gjyshërve për kujdes. “Tani, në kujdes i kanë afër shtatë vite,” tregon ai.

Sot, Dërnjani përballet me një tjetër proces gjyqësor në Kosovë, këtë herë për akuza për krime kundër njerëzimit, të cilat ai i mohon. Fëmijët e tij tani janë 13, 12 dhe 10 vjeç.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

Mund të ju pëlqejn

Advertisement