Rita Ora ka ndarë një pjesë më personale të jetës së saj, duke zbuluar se mban gjithmonë pranë një varëse të veçantë me kristale. Ajo e përshkruan këtë bizhuteri si një burim qetësie dhe ekuilibri, veçanërisht përballë ritmit të shpejtë të karrierës së saj.
Në një intervistë të dhënë për “The New York Times”, këngëtarja me origjinë shqiptare zbuloi se varësja ishte një dhuratë për 34-vjetorin e saj nga një mikeshë e ngushtë. Ajo theksoi se bizhuteria është krijuar me kristale të përzgjedhura në bazë të energjisë dhe simbolikës së tyre.
“Është një lloj objekti që më ndihmon të çliroj stresin dhe të ruaj energjinë time. Në këtë industri është shumë e lehtë të humbasësh ekuilibrin, ndaj kjo më ndihmon të qëndroj e përqendruar,” shprehet artistja.
Varësja përmban disa kristale, si citrini, i njohur për lidhjen me energjinë pozitive dhe gëzimin; kuarcin e tymosur, që ndihmon në ruajtjen e ekuilibrit; ametistin e gjelbër, si simbol të pafajësisë; dhe kuarcin e pastër, i cili forcon synimet dhe vetëdijen.
Megjithëse Rita pranon se nuk ka një shpjegim shkencor për ndikimin e kristaleve, ajo beson në energjinë që ato përcjellin. “Ndoshta është thjesht diçka mendore, por ndihem e mbrojtur dhe më e qëndrueshme. Nuk e di nëse është efekt placebo, por besoj se këto objekte mbajnë energji dhe energjia është reale,” pohon ajo.
Ajo tregon se e vendos varësen sa herë që ka mundësi, dhe kur ajo nuk përshtatet me veshjen, e mban në çantë për ta pasur gjithmonë pranë.
Gjatë intervistës, Rita gjithashtu foli për ndikimin e traditave shqiptare në jetën e saj. Ajo theksoi se është supersticioze dhe kujtoi me nostalgji ritualet që praktikonte gjyshja e saj.
“Ne, evropianët lindorë, dhe veçanërisht ata që vijmë nga familje shqiptare, jemi rritur me bestytni. Gjyshja ime kryente rituale nën dritën e hënës së plotë dhe lexonte filxhanin e kafesë të kthyer përmbys, sikur të ishte një hartë e së ardhmes,” rrëfeu ajo.
Në aspektin profesional, Rita është duke promovuar filmin “Descendants: Wicked Wonderland”, ku interpreton Mbretëreshën e Zemrave. Ajo ka përfunduar gjithashtu xhirimet e filmave “Honeymoon with Harry” dhe “Voltron”, ndërsa vazhdon të punojë për projekte të reja muzikore dhe të realizojë koncerte në Evropë.
Be the first to comment