Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se komuna ka vendosur të ndërpresë marrëveshjen me organizatën “BIRN Kosova” për shfrytëzimin e hapësirës publike në “Grand Hotel”.
Kjo masë vjen pas mungesës së shpjegimeve nga ana e organizatës që drejtohet nga Jeta Xharrës, në lidhje me çështjen kryesore përfaqësuar në faqen “Lule Gjeli”.
Rama gjithashtu ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të shqyrtojë çdo marrëveshje që ka lidhje me BIRN. Ai shprehu shqetësimin se organizata nuk ka dhënë sqarime të mjaftueshme dhe reagimi i saj ka ngjallur edhe më shumë dyshime.
“E dimë kush është, por nuk e tregojmë” është një deklaratë që sipas Ramës vetëm sa e thellon situatën. Ai theksoi se nëse identiteti është i njohur, atëherë lind një pyetje e thjeshtë: “Kënd po e mbroni?”
Deri në momentin që këto pyetje mbeten pa përgjigje, kryetari nënvizoi se si qytet duhet të reagohet për situata të tilla.
Për këtë arsye, ai njoftoi ndërprerjen e marrëveshjes për shfrytëzimin e hapësirës publike në Grand Hotel, duke iu referuar pronësisë së qytetarëve të Prishtinës.
Rama theksoi se nuk mund të lejohet që hapësirat publike të shfrytëzohen nga organizata që cënojnë interesat e qytetarëve dhe refuzojnë transparencën në çështje të rëndësishme për publikun.
Ai ka paralajmëruar se do të rishikojë çdo marrëveshje tjetër për shfrytëzimin e hapësirave publike që janë ndarë dhe financuar nga Kryeqyteti.



















You must be logged in to post a comment Login