Deklarata e ministres së qeverisë së Serbisë, sipas së cilës, po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”, është një shprehje e hapur e një ideologjie që nxit dhe mbështet luftëra, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Kështu është shprehur Përparim Rama, kryetari i Kryeqytetit.
Ai theksoi se kjo deklaratë përbën një fyerje për qytetarët e Kosovës dhe se përbën një relativizim dhe legjitimim të një prej krimeve më të rënda sipas së drejtës ndërkombëtare.
“Është alarmuese që, më shumë se dy dekada pas luftës, një anëtare e kabinetit qeveritar të Serbisë flet me këtë gjuhë për një nga aktet më makabre dhe kriminale të shekullit të kaluar. Evropa është ndërtuar mbi refuzimin e ideologjive të spastrimit etnik. Prandaj, çdo heshtje përballë një deklarate të tillë është një precedent i rrezikshëm. Bashkimi Evropian dhe e gjithë bota demokratike duhet ta dënojnë pa ekuivok këtë retorikë”, shkruan Rama në Facebook.
Kryetari i Prishtinës kërkon nga institucionet e Republikës së Kosovës që “të reagojnë me qartësi, dinjitet dhe vendosmëri”.



















You must be logged in to post a comment Login