Një grup i madh fermerësh ka rrethuar objektin e qumështores “Vita”, pas lajmit se kompania do të mbyllet për të paktën shtatë ditë.
Sipas raportit të gazetares së Klan Kosovës, Qëndresa Bellagoshi, ky vendim nga ana e kompanisë erdhi pas një inspektimi të bërë nga Inspektorati, i cili kishte zbarkuar në objekt me një numër të konsiderueshëm zyrtarësh. Inspektimi u krye me urdhër të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja.
Drejtori gjeneral i qumështores “Vita” në Istog, Artan Spahija, në një intervistë për Klan Kosovën, e cilësoi vendimin për mbylljen e kompanisë si një vendim politik nga ana e ministrit Muja.
“Është e qartë që kjo është një çështje politike. Para pak çastesh, ministri deklaroi se ‘do ta shihni se çfarë po hani e çfarë po pini’. Unë e ftoj atë të diskutojmë drejtpërdrejt, madje mund të shqyrtojmë edhe etiketimin e qumështit,” shprehet ai.
Spahija gjithashtu garantoi se fermerët dhe punëtorët e “Vitës” gjithmonë do të kenë mbështetje. Sa i përket inspektimit të sotëm, ai theksoi se nuk pati asnjë gjetje negative.
Be the first to comment