Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj protestës së fermerëve të qumështit, që sot u mblodhën para Ministrisë së Bujqësisë. Ata kërkuan zgjidhje urgjente për situatën me të cilën po përballen.
Fermerët shprehen se rrezikohen të falimentojnë, pasi grumbullimi i qumështit është ndalur prej katër ditësh. Kjo situatë ka ndodhur pas mbylljes së përkohshme të qumështores “Vita”.
Në këtë kontekst, Haradinaj e ka akuzuar Qeverinë në detyrë për një qasje armiqësore ndaj prodhuesve vendorë. Sipas tij, kjo vije në dëm të fermerëve dhe ekonomisë së vendit, siç raporton Klankosova.tv.
“Pamjet e derdhjes së qumështit nga fermerët në lumenj dhe në rrugë janë të dhimbshme dhe shqetësuese. Si pasojë e vështirësive në shitjen e prodhimeve të tyre, fermerët po detyrohen të ndërmarrin veprime ekstreme në shenjë proteste,” ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka kërkuar ndërhyrjen urgjente të institucioneve, që të dëgjojnë kërkesat e fermerëve dhe të kompensojnë dëmet e shkaktuara. Haradinaj thekson se fermerët duhet të trajtohen si partnerë në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Qeveria në detyrë, me një qasje armiqësore, po dëmton direkt prodhuesit vendorë dhe mirëqenien e fermerëve. Ftoj institucionet të reflektojnë dhe t’i marrin seriozisht kërkesat e fermerëve, duke i kompensuar dëmet e shkaktuara. Ata nuk duhet të trajtohen si kundërshtarë, por si partnerë në zhvillimin ekonomik të vendit,” shkroi Haradinaj.
Be the first to comment