Në Prishtinë, më 250-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u organizua një aktivitet festiv nga Shoqata e Miqësisë së Amerikës. Ngjarja u zhvillua pranë shtatores së ish-presidentit amerikan Bill Clinton.
Kryetari i Shoqatës, Agim Rexhepi, theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti, i cili organizohet për të shprehur respektin dhe dashurinë e qytetarëve shqiptarë për SHBA-në. Ai shprehu urimet në emër të miliona shqiptarëve, duke u dëshiruar atyre një 4 Korrik të gëzueshëm dhe duke nënvizuar rëndësinë e këtyre festimeve.
“Ky aktivitet është organizuar në bashkëpunim me institucione të tjera dhe është informuar përkatësisht edhe institucione shumë të larta në Shtetet e Bashkuara. Fotografitë nga ky aktivitet do t’i dërgojmë liderëve amerikanë,” tha Rexhepi.
Kësaj ngjarjeje i shërbeu edhe një foto-ekspozitë, e cila paraqiti fotografi ekskluzive të vendosura në korniza dhe të shoqëruara me mesazhe dedikuese. Përveç kësaj, qytetarët morën kartolina të plastifikuara të përgatitura me portretet e ish-presidentëve amerikanë George H. W. Bush, Bill Clinton dhe George W. Bush.
Në këtë aktivitet morën pjesë gjithashtu përfaqësues të Gardës së Policisë së Kosovës, Njësisë Speciale Operative, Njësisë Intervenuese, Njësisë Speciale K9, si dhe zjarrfikësit dhe Qendra e Mjekësisë Emergjente.
Be the first to comment