Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Prattipati: Kosova është vendi më pro-amerikan në botë

Prattipati: Kosova është vendi më pro-amerikan në botë

E ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka falënderuar qytetarët e Kosovës për mbështetje dhe miqësi ndaj SHBA-së, duke theksuar se nuk njeh shtet tjetër në botë që është më pro-amerikan se Kosova.

Gjatë manifestimit festiv “Thank You USA”, organizuar në kuadër të 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, Prattipati shprehu ndjenjën e privilegjuar për të festuar 250-vjetorin e pavarësisë amerikane në Kosovë. Ajo theksoi emocionin e saj për mirësinë që ka marrë gjatë qëndrimit të saj dyvjeçar në Kosovë.

“Kam qenë e emocionuar nga mikpritja që kam marrë këtë javë dhe gjatë gjithë kohës sime këtu. Më 28 korrik, mbushen dy vjet që kur kam mbërritur në Kosovë dhe është një nder i jashtëzakonshëm për mua të festoj këtë përvjetor këtu,” u shpreh Prattipati.

<

Ajo theksoi se, gjatë shërbimit të saj në vende të ndryshme, nuk kishte parë asnjë popull me një afërsi kaq të madhe ndaj SHBA-së si qytetarët e Kosovës. “Kosova vërtet është vendi më pro-amerikan në botë. Lidhjet dhe lojaliteti i popullit të Kosovës janë të pashkatërrueshme. Kudo që shkoj, njerëzit më falënderojnë për çdo gjë që Shtetet e Bashkuara kanë bërë dhe kjo më ka prekur thellësisht,” tha ajo.

Prattipati gjithashtu vlerësoi aktivitetet e organizuara në Kosovë për nderimin e 250-vjetorit të SHBA-së, duke i cilësuar ato si dëshmi të një miqësie të sinqertë mes dy popujve.

“Çdo gjë që keni bërë këtu për të nderuar Shtetet e Bashkuara më ka prekur shumë. Kjo valë dashurie, mirënjohjeje dhe falënderimi është shumë e rëndësishme për ne,” theksoi ajo, duke shtuar se është një nder të përfaqësojë vendin e saj në një kohë kaq të veçantë.

Prattipati theksoi se Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë këtë besim dhe miqësi, duke kujtuar mbështetjen amerikane për shtetformimin e Kosovës.

“Atyre iu kemi treguar se Kosova ishte gati për t’u bërë shtet që nga viti 1999. E dimë se në vitin 2008 Kosova arriti të ishte një shtet i pavarur dhe sovran,” tha ajo.

Pavarësisht disa mosmarrëveshjeve, Prattipati theksoi se partneriteti strategjik mes dy vendeve është i fortë. “Edhe kur ndonjëherë kemi pasur mospajtime, kemi bërë shumë së bashku dhe lidhjet po forcohen me kalimin e kohës,” tha ajo.

E ngarkuara me Punë shprehu optimizëm për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve. “Shpresojmë që këto lidhje të vazhdojnë të rriten edhe në 250 vitet e ardhshme, jo vetëm për shkak të marrëdhënieve qeveritare, por për shkak të njerëzve si ju që jeni këtu sonte,” përfundoi Prattipati.

Click to comment
  • Be the first to comment

Mund të ju pëlqejn

Advertisement