Policia e Shkodrës ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale në Vaun e Dejës, duke arrestuar një 38-vjeçar që transportonte një minë me telekomandë. Një bashkëpunëtor i dyshuar është shpallur në kërkim.
Operacioni policor, i koduar “Remote”, u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë së Vaut të Dejës, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Shkodër. Kjo e fundit erdhi pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Sipas policisë shqiptare, në orët e para të mëngjesit, u ndalua për kontroll automjeti me të cilin lëvizte i dyshuari. Gjatë kontrollit, efektivët gjetën dhe sekuestruan një minë me telekomandë, e cila ishte lidhur me një aparat celular dhe ishte e përshtatur për shpërthim në distancë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestua Euglen Buraku, 38 vjeç, banues në Spitallë, Durrës. Ndërkaq, E. P., 34 vjeç, banues në Durrës, është shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në këtë rast.
Si prova materiale janë sekuestruar gjithashtu automjeti, një maskë dhe dy telefona celularë.
Be the first to comment