Shoqata “Fermerët Kosovarë të Qumështit” ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me situatën aktuale në Qumështoren VITA. Në një reagim të saj, kjo shoqatë ka theksuar se miliona litra qumësht, të prodhuar nga fermerët e Kosovës, dorëzohen në këtë qumështore.
Sipas tyre, deri në vitin 2025 pritet prodhimi i 21 milionë litrave qumësht, ndërsa vetëm në katër muajt e parë të vitit 2026 parashikohet dorëzimi i 9,5 milionë litrave. Pas konfirmimit nga Ministri se në analizat e qumështit të VITA nuk është gjetur vaj palme, fermerët kërkojnë shpjegime të qarta. “Ku kanë shkuar gjithë këto miliona litra qumësht dhe pse vazhdohet të vihet në shënjestër një qumështore që grumbullon prodhimin tonë?”, theksohet më tej në reagimin e shoqatës.
Fermerët shtojnë se mënyra se si institucionet e trajtuan këtë situatë ka sjellë dëme të ndjeshme për mijëra fermerë dhe familje. “Kënd po e mbroni, Ministër? Duke trajtuar këtë situatë në këtë mënyrë, janë dëmtuar ata që varen nga prodhimi i qumështit. Kur goditet një prodhues që grumbullon miliona litra qumësht lokal, goditet gjithashtu fermeri i Kosovës”, theksohet në reagim.
Në vend të pasigurisë, fermerët kërkojnë treg të sigurt, stabilitet dhe mbështetje përballë presionit të importeve. “Ky është qumështi ynë. Kjo është puna jonë. Ne kërkojmë përgjigje dhe përgjegjësi”, vijon reagimi, duke kërkuar që të ndalohet propaganda politike dhe të lejohet që fermeri kosovar të vijojë punën e tij.
Be the first to comment