Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se ka pezulluar nga detyra zyrtarët ndaj të cilëve Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Ky rast ka lidhje me një kontratë për mirëmbajtjen e urave në rrugët nacionale dhe regjionale, e cila daton nga periudha 2017-2019. Sipas aktakuzës, aktiviteti i prokurimit fillimisht ishte planifikuar me një vlerë prej 500 mijë eurosh, por pagesat e realizuara e kanë tejkaluar këtë shifër, duke shkuar në mbi 5 milionë euro.
Ministria thekson se këto janë fonde publike dhe se ka një përgjegjësi të madhe për t’u siguruar që drejtësia vijon rrugën e saj. “Presim që drejtësia ta japë sa më shpejt verdiktin e saj dhe të mbajë përgjegjësi për ata që abuzojnë me mjetet e taksapaguesve. Askush nuk është mbi ligjin, dhe buxheti duhet të trajtohet sipas procedurave dhe rregullave të caktuara. Për çdo informacion të nevojshëm, organet e drejtësisë do të kenë mbështetje të plotë nga ne,” shprehet Ministria.



















You must be logged in to post a comment Login