Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka bërë një kërkesë zyrtare për deputetin Avni Dehari, në rolin e tij si kryesues i seancës konstituive sipas moshës. Kjo kërkesë është për thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit më 12 gusht 2026.
PDK thekson se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të caktuar ka krijuar një situatë të rëndë kushtetuese. Sipas partisë, tejkalimi i këtij afati nuk heq obligimin për konstituimin e Kuvendit.
“Përkundrazi, obligimi për përfundimin e procesit konstituiv mbetet dhe duhet të përmbushet pa vonesa të mëtejshme,” theksojnë përfaqësuesit e PDK-së.
Kjo parti ka kërkuar që vazhdimi i seancës konstituive të thirret pa asnjë vonesë, duke mundësuar kështu deputetëve të zgjedhur ushtrimin e mandatit të tyre.
Ndërsa nëse Dehari do të thërrasë këtë seancë apo jo, GP i PDK-së ka paralajmëruar se do të jetë prezent në sallën e Kuvendit të Kosovës më 12 gusht në orën 11:00, kur përfundon edhe 48-orëshi i dytë për vazhdimin e seancës sipas rregullores.
PDK ka ftuar gjithashtu të gjitha grupet e tjera parlamentare dhe deputetët e zgjedhur që të jenë të pranishëm në sallë, për të dëshmuar gatishmërinë e tyre politike dhe vullnetin për të përmbushur besimin e qytetarëve.



















You must be logged in to post a comment Login