Nën qiellin e hapur të Prishtinës dhe larg formalitetit të skenës klasike, publikimi mbrëmë u bë pjesëmarrës aktiv në performancë. Atmosfera energjike që krijoi Open Mic Karaoke Night, e mbajtur si një nga risitë e edicionit të gjashtë të Rame Lahaj International Opera Festival, e bëri këtë ngjarje ndryshe nga të tjerat.
Sheshi “Zahir Pajaziti” u shndërrua në skenën më të madhe të karaokes në qytet, ku muzika bashkoi njerëz të të gjitha moshave. Interpretimet plot humor dhe spontanitet, si dhe performancat e artistëve profesionistë, dëshmuan se muzika i përket secilit. Kjo natë tregoi se skena mund të jetë e hapur për çdo individ që dëshiron të ndajë pasionin e tij për këngën.
Ky format i ri është pjesë e zgjerimit të programit artistik të festivalit, duke çuar ngjarjen përtej skenave tradicionale. Qëllimi është afrimi i muzikës me komunitetin në një mënyrë më të hapur, spontane dhe bashkëkohore. Përmes aktiviteteve të tilla, festivali synon të krijojë përvoja ku publiku nuk është vetëm ndjekës i artit, por edhe një pjesëmarrës aktiv.
Rame Lahaj International Opera Festival falënderon të gjithë ata që morën mikrofonin dhe ata që iu bashkuan këngës nga publiku, duke bërë që kjo mbrëmje të jetë një festë e vërtetë e muzikës dhe bashkimit.
Programi i festivalit vazhdon më 14 korrik, në hapësirën e jashtme të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Atje do të ketë një mbrëmje kushtuar ikonës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, ku publiku do të ketë mundësinë të këndojë disa nga këngët më të dashura të repertorit të saj.
Rame Lahaj International Opera Festival vazhdon të sjellë aktivitete që e bëjnë muzikën më të afërt dhe të qasshme për të gjithë, duke promovuar moton e festivalit: “Play Music, Not War.”
Be the first to comment