Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Oda Ekonomike Amerikane: Investimet në gazin amerikan forcojnë sigurinë energjetike të Kosovës

Oda Ekonomike Amerikane: Investimet në gazin amerikan forcojnë sigurinë energjetike të Kosovës

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka adresuar me vëmendje deklaratat e fundit të anëtarëve të kabinetit të Qeverisë në detyrë në lidhje me politikat energjetike të vendit. Në një njoftim për media, kjo odë thekson se prioritetet e propozuara nuk përmbushin nevojat e Kosovës për rritjen e kapaciteteve vendore për prodhimin e energjisë elektrike dhe zvogëlimin e varësisë nga importet. Kjo është thelbësore për të forcuar sigurinë e furnizimit energjetik.

Oda thekson se çështja kyçe nuk është thjesht nëse Kosova mund të importojë energji nga vendet fqinje, por se a duhet të vazhdojë të mbështetet te energjia e importuar, apo të investojë në ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese brenda vendit. Kjo do të ndihmonte në forcimin e sigurisë energjetike dhe konkurrueshmërisë ekonomike.

Oda Amerikane vlerëson se zhvillimi i kapaciteteve të reja vendore duhet të ketë statusin e një prioriteti kombëtar. Sipas saj, importimi i energjisë përmes infrastrukturës ekzistuese mund të duket si zgjidhje e praktike dhe më pak e kushtueshme, por nuk reflekton përfitimet afatgjata të ndërtimit të kapaciteteve të reja.

Çdo megavat energji i prodhuar në Kosovë kontribuon në sigurinë e furnizimit, zvogëlon varësinë nga tregjet e jashtme dhe krijon stabilitet për ekonominë dhe qytetarët. Mbështetja në importin e energjisë e rrezikon Kosovën ndaj luhatjeve të çmimeve dhe rreziqeve të furnizimit, siç e tregoi kriza energjetike evropiane pas agresionit rus në Ukrainë.

Ky problem është një nga arsyet që shumë vende evropiane kanë investuar në infrastrukturën për gazin natyror të lëngshëm (LNG), duke përfshirë LNG-në amerikane. Vendimmarrjet e këtyre shteteve janë udhëhequr nga objekti strategjik për diversifikimin e burimeve të furnizimit dhe forcimin e sigurisë kombëtare.

Oda beson se rritja e kapaciteteve vendore të prodhimit duhet të mbetet një objektiv kryesor strategjik për Kosovën. Ajo thekson se pjesëmarrja e Kosovës në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane është një mundësi për ndërtimin e kapaciteteve gjeneruese më shpejt dhe ekonomikisht më të favorshme.

Kapacitetet gjeneruese të bazuara në LNG janë teknologji që mund të vendosen brenda një periudhe të shkurtër dhe kanë mundësi financimi më të mëdha nga institucionet ndërkombëtare. Oda e sqaron se LNG nuk është alternativë ndaj burimeve të ripërtëritshme të energjisë; përkundrazi, ajo mundëson integrimin e energjisë nga burime të rinovueshme si era dhe dielli.

Në këtë kontekst, ndonëse gazifikimi i qymyrit mund të jetë pjesë e diskutimeve për sigurinë energjetike, ai nuk është zgjidhje për nevojat emergjente të Kosovës. Projekte të tilla kërkojnë kohë më të gjatë për realizim dhe kanë financim të pasigurt për shkak të politikave ndërkombëtare mbi dekarbonizimin.

Për këtë arsye, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë rekomandon një qasje të dyfishtë: zhvillimin e shpejtë të kapaciteteve gjeneruese me bazë LNG për të adresuar nevojat afatshkurtra, ndërkohë që vazhdohet vlerësimi i opsioneve afatgjata për shfrytëzimin e burimeve vendore.

Politikat energjetike duhet të vlerësohen jo vetëm për koston fillestare, por për aftësinë e tyre për të garantuar një furnizim të sigurt dhe çmime të qëndrueshme. Oda thekson se përfshirja e Kosovës në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane do të forconte sigurinë energjetike dhe konkurueshmërinë ekonomike.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka rikujtuar se në një kohë kur shumë vende evropiane po e shohin LNG-në amerikane si një investim strategjik, Kosova nuk duhet ta humbasë këtë mundësi.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

Mund të ju pëlqejn

Advertisement