Aktori i njohur Vin Diesel, një nga figurat kryesore të serisë “Fast & Furious”, ka ndarë një moment emocional në lidhje me filmat e fundit të sagës. Ai ka zbuluar se u përlot gjatë leximit të skenarit të filmit të 11-të, i cili pritet të titullohet “Fast Forever”.
Ky film, që planifikohet të shfaqet në kinema më 17 mars 2028, do të jetë finali i kësaj serie të njohur të filmave aksion. Diesel tregoi se për krijimin e këtij përfundimi është punuar për rreth katër vjet, duke angazhuar katër ekipe të ndryshme shkrimtarësh. Ai dëshironte që rezultati të ishte në nivelin e duhur.
“U desh të kalojmë nëpër katër ekipe shkrimtarësh dhe katër vite zhvillimi për të arritur diçka që mendoja se do të ishte e denjë për finalen. Kur e lexova skenarin para disa javësh, qava,” ka thënë Diesel sipas Daily Star.
Ai përshkroi emocionet e tij në rritje teksa vazhdonte leximin e skenarit. “Pas katër shkrimtarëve të ndryshëm dhe katër viteve zhvillim, në mes të skenarit më ra një lot. Në fund, për të cilin kishim punuar aq shumë, po qaja. Nuk mund ta mbaja më,” tregoi aktori. Madje, familjarët e tij ishin të shqetësuar dhe i kërkuan të qetësohej.
“Motra ime më tha: ‘Më nuk ka të qara, vëlla’. Kështu që dua të them se ndonjëherë edhe djemtë më të fortë në botë kanë nevojë të qajnë,” shtoi ai.
Për më tepër, Diesel zbuloi se xhirimet e filmit të fundit pritet të nisin në dhjetor, nëse studioja e jep përgjigjen pozitive. Filmi do të drejtohet nga Louis Leterrier, i cili ka paralajmëruar se do të jetë një fund i mrekullueshëm.



















You must be logged in to post a comment Login