Arben Selmani, djali i Osman Selmanit, i arrestuar së fundmi në Serbi, ka shprehur shqetësimin për mungesën e mbështetjes institucionale për familjen e tij. Në një intervistë për emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, ai tha se, megjithëse ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme, nuk ka marrë ndonjë përgjigje apo ndihmë konkrete.
Selmani ka kërkuar angazhim të madh nga institucionet e Kosovës për sigurimin e dokumenteve që, sipas tij, dëshmojnë pafajësinë e babait të tij. Ai theksoi se pas takimit me një zyrtare të Ministrisë, nuk e ka marrë më asnjë kontakt prej tyre.
“Për fat të keq, unë kam bërë këtë deklaratë te Ministria e Punëve të Jashtme të enjten, dhe nga ai moment më nuk kam pasur ndihmë. Po mundohem të lidhem me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe atë të Mbrojtjes, që të më ndihmojnë të siguroj dokumentet nga NATO-ja dhe OSBE-ja, pasi ato janë në arkivat e tyre,” deklaroi ai.
Sipas Selmanit, mbështetje konkrete ka ardhur vetëm nga ambasadori i Kosovës në Beograd, të cilin e ka falënderuar për bashkëpunimin. Ai theksoi se ambasadori Jetishi ka qenë i vetmi që i ka dhënë këshilla konkrete.
“Ambasadori është shumë korrekt dhe bashkëpunues. Nga institucionet e tjera, deri tani nuk kam marrë ndihmë,” shpjegoi ai.
Selmani i është drejtuar drejtpërdrejt Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar veprime për të siguruar dokumentet që vërtetojnë se Osman Selmani në periudhën e luftës nuk ndodhej në Kosovë.
Duke folur për gjendjen e babait të tij në paraburgim, Selmani tha se, sipas avokatit, gjendja shëndetësore e tij është e mirë, por ai ka shqetësime për shkak të moshës së tij.
“Sipas avokatit, ai është mirë, por është 74 vjeç dhe është i shqetësuar. Në të kaluarën nuk është marrë me këto çështje, ka qenë profesor. Ai duhet të përballet me situatën dhe të jetë i fortë,” përfundoi Selmani.
Be the first to comment